Peci nënkupton se janë afër ta afrojnë një deputet/e të opozitës
Bashkëkryetari i “Guxo”, Faton Peci ka lënë të kuptohet se janë në bisedime, e madje ka konfirmuar se ka pasur edhe takime, me një deputet/e të opozitës, për t’iu bashkuar këtij subjekti politik.
Z.Peci megjithatë, është treguar i rezervuar duke thënë se nuk ka pasur negociata, por “takime dhe interesime” të një deputeti/e të caktuar.
“Nuk mundem me thënë negociata, por nuk është që nuk ka pasë takime dhe interesime se thjesht cila mundet me qenë hapësira që Guxo ofron për një subjekt të caktuar, nuk kisha hy në emra të subjekteve, nga opozita ka qenë”, tha ai.
Ministri Peci tutje ka zbuluar se politikani në fjalë, është opsion që po diskutohet për një kohë të gjatë, por sidoqoftë, çështjes nuk i është dhënë një vendim final.
“Është një opsion që ka një kohë të gjatë që diskutohet. As nuk kanë dështuar negociata, ka pasë diskutime, jo vetëm me mu por edhe me figura të tjera. Por ka qenë nivel diskutimi se cili mundet me qenë kontributi i deputetit apo deputetes, por nuk ka pas një epilog final”, tha ai.
Z.Peci mes tjerash, ka bërë të ditur se analisti Gazmir Raci mund të ketë informacione rreth kësaj, meqenëse ishte ky i fundit që e ngriti në diskutim këtë çështje.

