‘Pazarxhiu politik’: Burim Meta e fajëson ish-zyrtarin e ‘Guxo’ për raportimet rreth përçarjeve në parti
Deputeti i listës “Guxo”, Burim Meta ka komentuar largimin e deputets Doarsa Kica – Xhelili, duke thënë se ka pasur arsyet më të vogla që të jetë e pakënaqur me partinë. Mes tjerash, ai e akuzoi ish-zyrtarin e kësaj partie, Balton Dërgutin, se po jep informata për pakënaqësi brenda partisë.
Meta në “Pressing”, ka thënë se Kica-Xhelili nuk kishte shprehur ndonjë ankesë në diskutimet brenda partisë.
“Po ta them këtë, të gjithë ne anëtarët e Guxos, kemi pasur ndonjëherë të drejtë me pasë pakënaqësi, i vetmi person që s’ka pasur asnjëherë arsye të ketë pakënaqësi është mikja ime, Doarsa Kica-Xhelili. Ajo nuk e ka paraqitur ndonjë pakënaqësi as në mbledhjet e Kryesisë e as brenda diskutimeve tona kolegiale, besoni këtë. Më i zëshmi me kritika brenda partisë, ka qenë Burim Meta, kam qenë unë”, ka thënë Meta.
Ndërkohë, ai i ka komentuar edhe raportimt për një largim të mundshëm nga grupi parlamentar i LVV-së, gjë të cilën e ka mohuar.
Veç kësaj, Meta e ka akuzuar si ish-zyrtarin e “Guxo”, Balton Dërgutin, se po i lëshon këto raportime nëpër media.
“Lajmet janë të rëndësishme nga kush thuhen, por nga kush thuhen. Balton Dërguti gjithë karrierën politike e ka udhëheqë mbi bazën e pazareve politike. Ai ka negociuar me PDK-në në Ferizaj në emër të Listës Guxo. Nuk kam negociuar asnjëherë me LDK-në”, ka theksuar ai.