Pasuria: Zv. Ministri i ri mund ta përballojë izolimin e shtëpisë me paratë që ka në bankë
Qeverisë Kurti II sot iu shtua edhe një zëvendësministër. Bëhet fjalë për aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Vokrri, i cili tash e tutje do të shërbejë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal .
I njëjti, deri më tani ka mbajtur edhe tri pozita të tjera, si Këshilltar Komunal në Komunën e Prishtinës, Doktor në QKMF-në në Prishtinë si dhe ligjërues në Kolegjin AAB.
Nga krejt këto, ai ia del të marrë mjaft të hyra, me ç’rast, posedon edhe para të gatshme të mbajtura në institucione financiare.
Siç ka parë Nacionale në raportimin e tij të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Vokrri i ka 4 mijë e 540 euro e 70 cent në Pro Credit, me të cilat, shumë lehtë do të mund të kryente izolimin e shtëpisë të cilin e kërkoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Nacionale dy ditë më parë raportoi se në një shtëpi mesatare prej 150 metrave katrorë, izolimi kushton 4500 euro, sipas çmimeve që na i tha një kompani që merret me izolimin e shtëpisë.
Sa i përket Vokrrit, ky i ka të gatshme nëpër institucione financiare edhe 6 mijë e 941 euro të tjera, të cilat bashkë me 4 mijë e 540 eurot (e izolimit), i bëjnë gjithsej 11 mijë e 481 euro.
Vokrri në AKK ka deklaruar si pasuri të paluajshtme një banesë 100 metra katrorë për të cilën thotë se është e prindit dhe ka një vlerë prej 145 mijë eurosh.
Ai e ka edhe një veturë Golf 6 të cilën e ka deklaruar si pasuri të luajtshme, që kushton 8 mijë euro dhe e ka dhuratë nga motra.
Vlen të theksohet se aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Bardh Ahmeti ka reaguar pas këtij emërimi, duke thënë se Vokrri u tërhoq nga gara për kryetar të degës së LVV-së në Prishtinë para disa ditësh.
Krejt këtu, ai dyshon për pazar të kryer nga kryeministri Kurti, për të cilin la të kuptohet se ia ka premtuar pozitën e zëvendësministrit, në këmbim të tërheqjes nga gara.
