Papa donte të takohej me presidentin kinez, Kina: Nuk kemi kohë për këtë
Vatikani i tha Kinës se Papa Françesku donte të takohej me presidentin kinez Xi Jinping ndërsa të dy ishin në kryeqytetin e Kazakistanit, por Kina u përgjigj se nuk kishte kohë të mjaftueshme për këtë, tha një burim nga Vatikani.
Kinezët: Ne e vlerësojmë gjestin, por presidenti nuk ka kohë
Burimi nuk dha asnjë detaj se si dhe kur Vatikani iu afrua Kinës, me të cilën është angazhuar në një dialog të ndjeshëm për statusin e Kishës Katolike Romake në atë vend.
Vatikani u tregua i hapur, pala kineze tha se e vlerëson gjestin, por se Xi Jinping nuk ka kohë. Papa dhe Xi ishin dje në Nur-Sulltan. Xi ishte atje për një vizitë zyrtare dhe Papa mori pjesë në Kongresin e Liderëve Fetarë Botërorë.
Një takim mes Papës dhe presidentit kinez, sado i shkurtër, do të ishte një moment historik.
Papa: Jam gjithmonë gati të shkoj në Kinë
Duke folur me gazetarët që e shoqëronin në fluturimin për në vendin e Azisë Qendrore, Papa u pyet nëse do të ishte në gjendje të takonte Xi në kryeqytet. Ai u përgjigj me modesti: "Unë nuk di asgjë për këtë."
Kur u pyet se kur do të ishte gati për të shkuar në Kinë, ai tha: "Unë jam gjithmonë gati të shkoj në Kinë".
Papa është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet historikisht të këqija midis Selisë së Shenjtë dhe Kinës dhe në një intervistë me Reuters në korrik ai tha se shpresonte të rinovonte marrëveshjen sekrete dhe të diskutueshme për emërimin e peshkopëve katolikë romakë në Kinë. /Nacionale/