Pamje: Së paku nëntë të vdekur nga shembja e skenës gjatë fushatës zgjedhore në Meksikë
Të paktën nëntë persona kanë vdekur, përfshirë një fëmijë, dhe 50 të tjerë janë lënduar pas shembjes së një skene gjatë një tubimi të fushatës zgjedhore në shtetin verior meksikan, Nuevo Leon, tha guvernatori lokal.
Incidenti ndodhi në kohën kur kandidati i qendrës së majtë për president, Jorge Alvarez Maynez, po mbante një fjalim në qytetin San Pedro Garza Garcia, raporton televizioni BBC.
Kandidati për president pësoi lëndime dhe u foli përkrahësve pas incidentit. Ai tha se disa anëtarë të ekipit të tij gjithashtu janë lënduar.
Sipas Maynezit, shembja e skenës u shkaktua nga një furi e papritur e erës.
Në pamje të publikuara në internet shihet rrëzimi i strukturave të ndriçimit të skenës në momentin kur disa njerëz ndodheshin në skenë.