Pak ditë pasi e akuzoi ShBA-në për sulmim të Rusisë, Erdogani takohet me Bidenin
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, dhe homologu i tij amerikan, Joe Biden, kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë tregtinë dhe çështjet e sigurisë, në kuadër të samitit të Grupit G20, tha të martën presidenca turke.
Në njoftimin e presidencës thuhet se Bideni i shprehu ngushëllime Erdoganit për viktimat e sulmit të së dielës me bombë në Stamboll dhe i tha presidentit turk se administrata e tij do ta vazhdojë përkrahjen e Turqisë në përpjekjen e saj për të blerë aeroplanë luftarakë F-16, raporton agjencia “Reuters”.
Bideni gjithashtu tha se Turqia është një aktore e rëndësishme në synimin e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe e falënderoi homologun turk për rolin e tij për vazhdimin e marrëveshjes për eksportimin e drithërave mes Ukrainës e Rusisë, thuhet në njoftimin e presidencës turke.
Të shtunën u raportua se Erdogani i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për provokim të Moskës.
Transmetuesi shtetëror turk, TRT, dhe disa medie të tjera e cituan presidentin Erdogan të ketë thënë: “Perëndimi, e posaçërisht Shtetet e Bashkuara, po e sulmojnë Rusinë, mësa duket, pafundësisht”, pa elaboruar se çfarë ka dashur të thotë me këto fjalë.
“Natyrisht, Rusia është duke shfaqur rezistencë të madhe përballë tërë kësaj”- citohet të ketë thënë presidenti turk gjatë një fluturimi me aeroplan nga Uzbekistani.