Pacolli: Inspektorati ndaloi punimet në 7 gurthyes, tre operatorë u gjobitën me 7 mijë euro - NACIONALE

Pacolli: Inspektorati ndaloi punimet në 7 gurthyes, tre operatorë u gjobitën me 7 mijë euro

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet në shtatë gurthyes, siç tha ajo që kanë operuar në kundërshtim me rregullat dhe kushtet ligjore.

Sipas Pacollit, tre operatorë të tjerë janë gjobitur me gjithsej 7 mijë euro për shkeljet e evidentuara.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se masat janë ndërmarrë pas inspektimeve në Gjilan, Han të Elezit, Shtime, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Lipjan dhe Prishtinë.

Ajo ka thënë se procesi i verifikimit të gurthyesve ka nisur në mars, kur operatorëve u është dhënë afat prej 15 ditësh për të dëshmuar përputhshmërinë me ligjin dhe kriteret mjedisore.

“Rreth 200 gurthyes kanë dorëzuar dokumentacionin, i cili është shqyrtuar nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria në prill. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore”, ka shkruar Pacolli.

Sipas saj, vetëm gjatë muajit gusht punimet u janë ndaluar 16 gurthyesve.

“Inspektorati i Mjedisit është çdo ditë në terren dhe kontrollet do të vazhdojnë. Ndaj çdo operatori që vepron në kundërshtim me ligjin, ndot mjedisin apo nuk përmbush standardet e përcaktuara, do të ndërmerren masat ndëshkuese”, ka shkruar ajo.

Pacolli ka thënë se mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit mbetet prioritet.

“Nuk do të lejojmë që përfitimi i askujt të vihet mbi shkatërrimin e mjedisit të Kosovës”, ka përfunduar ajo.

Lajme të ngjashme