Osmani viziton Mamushën, diskutohet për mungesën e ujit në këtë komunë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot komunën e Mamushës ku pati takim me kryetarin e kësaj komune Adbdülhadi Krasniç, me të cilin, siç njofton Osmani në Facebook, kanë diskutuar për zhvillimet në këtë komunë, me theks të veçantë mungesën e ujit.
Osmanit vizitoi edhe një biznes në këtë komunë, ku shumica e të punësuarve janë gra. Ajo tha edhe se pavarësia ekonomike e grave është shtysë kryesore për zhvillimin e shoqërisë, por edhe të shtetit në përgjithësi.
“Inkurajuese përpjekja e grave të Mamushës për zanatin e rrobaqepëses dhe të qëndisjes me një projekt të Qendrës për fuqizimin e grave”, shkruan Osmani ndër tjerash.
Shkrimi i plotë:
Gjatë vizitës në komunën e Mamushës, me kryetarin Adbdülhadi Krasniç diskutuam për zhvillimet në këtë komunë, mundësitë zhvillimore dhe sfidat, me theks të veçantë mungesën e ujit.
Pavarësia ekonomike e grave është shtysë kryesore për zhvillimin e shoqërisë, por edhe të shtetit në përgjithësi. Inkurajuese përpjekja e grave të Mamushës për zanatin e rrobaqepëses dhe të qëndisjes me një projekt të Qendrës për fuqizimin e grave.
Gjatë vizitës në këtë komunë, vizitova edhe fabrikën e prodhimit të thasëve “Birlik”, një rrëfim suksesi në këtë biznes familjar, ku shumica e të punësuarve janë gra. Që prej viteve të 70-ta ky biznes vazhdon traditën, ndërkaq gratë janë shtyllë e fuqishme e kompanisë, duke ndihmuar jo vetëm në bilancin pozitiv të saj, por edhe të familjeve të tyre.
Qëndrimin në Mamushë e përmbylla me një vizitë në serrën e Selajdin Mazrek, në komunën ku shumica merren me bujqësi. Punë e çmueshme në një kohë sfiduese jo vetëm për bujqit, të cilët janë goditur nga rritja zingjirore e çmimeve.
Shihemi në komunën e radhës!