‘Opsionet për konvertimin e targave’: Bislimi tregon çka folën me Lajçakun sot në Bruksel
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se në takimin e sotëm me emisarin evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak kanë biseduar rreth marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Bislimi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se ka potencuar rëndësinë e fokusimit në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Sot takova emisarin Mirsolav Lajçak dhe biseduam për rrugën përpara në procesin e dialogut. Potencova rëndësinë e fokusimin në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
1/3 Today I met w/EUSR @MiroslavLajcak and discussed the way forward in the dialogue process. Emphasized the importance of focusing on the comprehensive normalization of relations between Kosova and Serbia. pic.twitter.com/gfbjwihFJA
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) November 15, 2022
Veç kësaj, Bislimi shtoi se nuk duhet të lejohen shpërqëndrime të qëllimshme nga bisedimet, derisa tha se Kosova është e përkushtuar në dialog.
“Ne nuk duhet të lejojmë shpërqëndrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nëpërmjet veprimeve që synojnë përshkallëzimin në terren. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor, pasiqë ne jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë”, ka thënë ai.
Në fund, Bislimi përmendi edhe çështjen e targave, duke thënë se i kanë diskutuar opsionet për konvertimin e suksesshem të tyre.
“Kam rikthesuar interesimin e Kosovë për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel për elementet e normalizimit gjithëpërfshirës i përqendruar në njohjen reciproke. Diskutuam po ashtu opsionet për konvertimin e suksesshem të të gjitha targave të paligjshme në të ligjshme”, shkroi ai në fund.
Lajçak ndërkaq, më herët në deklarimin e tij rreth takimit, tha se kanë diskutuar edhe për targat, por nuk ka përmendur “opsionet” për të cilat foli Bislimi.
“Me zv/kryeministrin Besnik Bislimi, sot po diskutoj për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave. Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”, ka shkruar Lajçak.
