Oda Ekonomike do të vazhdojë betejën ligjore ndaj ZRRE-së në instanca më të larta, kërkon “të mos bëjnë hapa të tjerë”
Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vendimin për të ashtuquajturin treg të lir të energjisë elektrike, pasi Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale vendosën në favor të tyre duke rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thekson se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, si ato të rregullta, ashtu edhe të jashtëzakonshme, për të sfiduar vendimin.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës së shkallës së dytë që është marrë, që e ka anuluar masën e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, ne si Odë Ekonomike do të vazhdojmë betejën ligjore. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet e rregullta dhe mjetet e jashtëzakonshme, do ta shohim mundësinë në Supreme. Por, deri në Kushtetuese do ta ndjekim çështjen, nuk do të ndalemi, në emër të bizneseve të cilat janë të detyruara me dhunë të dalin në tregun e lirë. Si vendim nuk e komentojmë, respektojmë, janë institucione të pavarura, do ta ndjekim betejën ligjore”, thotë Rafuna.
“Me i dëmtu bizneset pa dyshim që do t’i dëmtojë sepse pritjet tona kanë qenë që do të vendosen në mënyrë të drejtë siç u vendos në gjykatën e shkallës së parë, duke u marrë për bazë interesi publik i Kosovës. Por, kërkojmë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të mos bëjë veprime ose hapa të tjerë në mënyrë që t’i nxjerrë bizneset në rrugë për të protestuar apo për t’i bllokuar rrugët”, potencon Rafuna.