OBSH: Fruthi një kërcënim global, shkak pandemia e Covid
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe agjencia e shëndetit publik amerikan (CDC), kanë thënë të mërkurën se tani ekziston një kërcënim i menjëhershëm i përhapjes së fruthit në rajone të ndryshme globalisht, për shkak që Covid-19 çoi në një rënie të vazhdueshme të mbulimit të vaksinimit dhe mbikëqyrje të dobësuar të kësaj sëmundjeje.
Fruthi është një nga viruset më ngjitëse njerëzore dhe është pothuajse tërësisht i parandalueshëm përmes vaksinimit. Megjithatë, për të parandaluar shpërthimet kërkohet 95% mbulim vaksininimi.
Dy organizatat shëndetësore thanë se për shkak të pengesave të krijuara nga pandemia, në vitin 2021 një rekord prej 40 milion fëmijësh humbën një dozë të vaksinës së fruthit.
E ndërsa rastet ende nuk janë rritur në masë, drejtuesi i OBSH-së për fruthin, Patric O’Connor, tha për Reuters se,”tani është koha për të vepruar”.
Duke vënë në dukje natyrën e sëmundjeve ngjitse, O’Connor shpjegoi se pse ende nuk ka pasur një shpërthim të rasteve pavarësisht mungesës së vaksinimit, ku përmendi një kombinim faktorësh, të tillë si masat e zgjatura të distancimit shoqëror dhe vetë natyra ciklike e fruthit. Megjithatë, ai paralajmëroi se kjo gjë mund të ndryshojë shumë shpejt.
“OBSH tashmë ka parë një rritje të shpërthimeve të mëdha përçarëse që nga fillimi i vitit 2022, duke u rritur nga 19 në pothuajse 30,”u shpreh O'Connor, duke shtuar se ai ishte veçanërisht i shqetësuar për pjesë të Afrikës Sub-Sahariane.
