Haziri: Kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut do të trajtohen në organet e LDK-së
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, ka komentuar kërkesat e degëve të Pejës dhe Lipjanit për dorëheqjen e kryetarit të partisë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas Hazirit, këto kërkesa janë pjesë e funksionimit demokratik brenda LDK-së dhe përbëjnë një qëndrim politik të degëve përkatëse.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ai tha se kërkesat e degëve të udhëhequra nga Gazmen Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, si dhe përgjigjja e kryetarit Lumir Abdixhiku, do të shqyrtohen në organet e partisë.
Haziri theksoi se një zhvillim i tillë nuk është i papritur për LDK-në, duke shtuar se debatet dhe reagimet pas zgjedhjeve janë të zakonshme.
“Është kërkesë politike, reagimi i kryetarit është ky, ka fillu me falënderim dhe natyrisht e ka ndërtua përgjigjen e tij, të cilën do ta diskutojmë brenda strukturave. Ne kemi një qëllim të përbashkët, nuk bën me prek, qëllimin politik, pse LDK ekziston, garon, cili është misioni jonë , kjo është ajo që e kemi të përbashkët. Derisa LDK nuk kthehet parti e parë për shumë prej neve është e pa pranueshme, trendi është pozitiv. Kjo situatë nuk na ka zënë në befasi, situatat paszgjedhore, LDK është e hapur dallon prej partive tjera nuk i mban të mbyllura këto çështje edhe pse do duhej biseduar brenda”, ka thënë Haziri në Tëvë1.