Numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në luftën me Iranin arrin në 16
Dy pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane u vranë të premten në Jordani gjatë një sulmi iranian, duke e çuar në 16 numrin e personelit ushtarak amerikan të vrarë që prej nisjes së sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, raportoi The New York Times.
Sipas një zyrtari amerikan, dy ushtarët dyshohet se humbën jetën pasi Irani lëshoi një breshëri raketash balistike ndaj një baze ushtarake në Jordani.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht, tha se disa prej raketave iraniane u rrëzuan. Megjithatë, të paktën njëra prej tyre arriti të depërtonte përmes sistemeve amerikane dhe jordaneze të mbrojtjes ajrore.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar vazhdimisht se do të hakmerret për vdekjen e çdo ushtari amerikan. Pas sulmit të fundit, Shtetet e Bashkuara pritet të ndërmarrin goditje hakmarrëse.