Një muaj paraburgim për M.J. dhe M.B., të dyshuar për krime lufte - NACIONALE

Një muaj paraburgim për M.J. dhe M.B., të dyshuar për krime lufte

4 orë më parë

nga NACIONALE

Departamenti Special ka urdhëruar paraburgim prej një muaji ndaj M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit lidhen edhe me hetimet për dyshimet mbi ekzistencën e një varreze masive në Zubin Potok.

Masa është caktuar pas seancës dëgjimore, në të cilën gjyqtarja e procedurës paraprake miratoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në arsyetimin e vendimit është marrë parasysh edhe fakti se M.J. dhe M.B. janë shtetas të Serbisë. Sipas Gjykatës, kjo rrethanë shton mundësinë që ata të largohen dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.

“Duke marr parasysh se të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet më tej në arsyetimin e Gjykatës.

Gjykata konstatoi gjithashtu se, nëse të pandehurit mbrohen në liri, mund të ndikojnë në prova ose te dëshmitarët e çështjes.

“Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme