Një foshnjë tremuajshe vdes në një qendër azili në Holandë
Autoritetet në Holandë po e hetojnë vdekjen e një foshnje tremuajshe në qendrën kryesore të vendit për pranimin e azilkërkuesve.
Ato thonë se foshnja vdiq të mërkurën në mëngjes në një sallë sportesh që shërben si strehimore urgjente në fshatin verilindor, Ter Apel.
“Fatkeqësisht, ndihma mjekësore nuk dha sukses”, tha Inspektorati i Shëndetit dhe Kujdesit për të Rinjtë.
Emri, gjinia ose kombësia e foshnjës nuk janë publikuar. Inspektorati tha se do t’i hetojë të gjitha aspektet e mundshme që mund të kenë luajtur rol në vdekjen e foshnjës.
Vdekja e foshnjës ndodhi në kohën kur Holanda është në krizë me azilkërkues. Qindra njerëz po flenë jashtë qendrës zyrtare të pranimit, raporton Anna Holligan e BBC-së nga Haga.
Ajo thotë se kjo po ndodh pjesërisht për shkak se aplikimet nuk po trajtohen mjaftueshëm shpejt dhe azilkërkuesit nuk po mund të shkojnë në vende të tjera.
Disa ligjvënës holandezë janë shprehur të tmerruar nga vdekja e foshnjës dhe kanë kërkuar shpjegim urgjent nga zyrtarët që e menaxhojnë qendrën e azilit.