Në Ukrainë nis peticioni për njohjen e pavarësisë së Kosovës - NACIONALE

Në Ukrainë nis peticioni për njohjen e pavarësisë së Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, njoftoi të mërkurën se i ka dorëzuar një peticion për njohjne e pavarësisë së Kosovës presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Goncharenko ka njoftuar se nëse peticioni nënshkruhet nga 25 mijë qytetarë, presidenti duhet t’i përgjigjet.

“Ukraina duhet ta përkrahë Kosovën tani”- shkroi deputeti ukrainas në llogarinë e tij në Twitter.

“Pavarësia e Kosovës është e njohur nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, përfshirë ShBA-në, si dhe nga shumica e vendeve të BE-së dhe të NATO-s. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së njohu që deklarata e sovranitetit shtetëror e Kosovës nuk bie ndesh me normat e ligjit ndërkombëtar, nuk shkel ndonjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar”- thuhet në peticionin e publikuar në uebfaqen zyrtare të presidentit ukrainas.

“Rusia nuk e njeh Kosovën dhe i konsideron këto toka si serbe. Në të njëjtën kohë, propagandistët e Kremlinit pretendojnë se është e nevojshme që në Ballkan të vendoset “rendi i njëjtë siç bëri Putini më 24 shkurt”. Përfaqësues të partisë së presidentit serb, Vuçiq, kanë folur për “denazifikimin e Ballkanit”. Rusia, së bashku me Serbinë, po mundohet të fillojë një luftë, për t’i justifikuar veprimet e saj si çështje kombëtare”- thuhet më tej në peticion.

“Tani, njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës do t’i vërtetojë përkrahjen dhe solidaritetin e Ukrainës për përpjekjen për integritet e sovranitet territorial të këtij shteti dhe do të dëshmojë se Ukraina, së bashku me botën demokratike, e përkrah drejtësinë dhe qëndron në anën e së vërtetës”- shkruhet në peticionin e nisur nga Goncharenko.

Ky deputet e vizitoi Kosovën në tetor. Përmes një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, ai ka kërkuar që vendi i tij ta njohë pavarësinë e shtetit tonë.

Lajme të ngjashme