Në Facebook po qarkullon një e pavërtetë se gjoja Trumpi e paralajmëroi shkatërrimin e Speciales - NACIONALE

Në Facebook po qarkullon një e pavërtetë se gjoja Trumpi e paralajmëroi shkatërrimin e Speciales

3 orë më parë

nga Nasuf Abdyli

Në orët e mbrëmjes të së premtes në rrjetin “Facebook” është publikuar një video nga një paraqitje e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit të Shtetit, Marco Rubio. Ata flasin për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Megjithatë, një përdorues i internetit e mori këtë video, e publikoi në llogarinë e vet dhe i dha kuptim krejt tjetër. Ai pretendon në mënyrë të pasaktë se Trumpi dhe Rubio kanë paralajmëruar se do ta shkatërrojnë Gjykatën Speciale, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së. Madje, për t’i dhënë jehonë “lajmit” të rremë, ai e përdori edhe fjalën “ekskluzive”.

“Ekskluzive: Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Presidenti Donald Trump kanë paralajmëruar se do ta shkatërrojnë gjykatën Speciale në Hagë – pikërisht atë ku ka punuar edhe Jack Smith” – thuhet në përshkrimin e videos.

“Ky paralajmërim u dha sot gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp të thirrur nga Presidenti amerikan Donald Trump, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth. Ky është paralajmërimi më serioz dhe më i ashpër i dhënë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara rreth Gjykatës Speciale në Hagë ku po mbahet Hashim Thaçi dhe të tjerët.” – thuhet më tej.

Në të vërtetë, sekretari Rubio në video i referohet qartë Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), e cila, njësoj si Gjykata Speciale, e ka selinë në Hagë.

Aty tha disa fjalë edhe presidenti Trump. Për të raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”.

Nuk dihet nëse publikuesi i “lajmit [të rremë] ekskluziv” në gjuhën shqipe e ka bërë këtë devijim me apo pa vetëdije – me apo pa qëllim.

Sidoqoftë, videoja është shpërndarë shumë herë dhe është rrugës për t’u bërë virale në rrjetin “Facebook”.

Më poshtë mund ta shikoni videon e publikuar nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së, ku bëhet e qartë se cilës gjykatë po i referohej kryediplomati amerikan.

Lajme të ngjashme