“Naim Murseli ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”: Publikohet dëshmia e Granit Plavës - NACIONALE

“Naim Murseli ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”: Publikohet dëshmia e Granit Plavës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediumi “Paparaci” ka publikuar dëshminë e Granit Plavës, të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, me porosi të Naim Murselit, të dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023.

Sipas kësaj dëshmie, Plava ka deklaruar që Murseli e ka porositur atë ta kryejë vrasjen dhe se ia ka ofruar 30 mijë euro për ta bërë një gjë të tillë.

Sipas tij, kjo ka filluar gjatë një takimi në një pompë të derivateve në Gremnik të Klinës, ku me ta, ndodhej edhe Kushtrim Kokalla.

“Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë...Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje.” – citohet se ka thënë ai.

Plava ka treguar edhe se si e kanë blerë armën me të cilën është kryer vrasja.

“Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri".

Sipas kësaj dëshmie, Plava ka deklaruar që në momentin e vrasjes, Naim Murseli ka qenë në veturë.

“Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes.” – ka thënë ai.

Shënim: Pamjet që shihni në videon më poshtë janë inskenim dhe lexim i transkriptave që mediumi i ka siguruar.

Lajme të ngjashme