Nagavci: Mësimi të mbahet të shtunave, nuk ka më vend për rishikim të vendimit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar edhe përsëri që të mbahet procesi mësimor të shtunave, teksa për të shtunën e kaluar tha se procesi mësimor nuk është mbajtur në tërësi, për shkak mosinformimit të duhur dhe presioneve nga më të ndryshmet.
Nagavci ka thënë se mësimi duhet të vazhdojë sipas planit të MASHTI-it dhe se rishkim të vendimit nuk do të ketë më.
“Mendoj se kjo ditë e shtunë për arsye të ndryshme nuk është arritur të realizohet 100 për qind sipas planifikimit, besoj edhe pak për shkak të mungesës së i formimit nga ana jonë por edhe për shkak të hutisë nga deklaratat e ndryshme që janë krijuar apo edhe tensioneve që i kanë pasur prindërit. Vend për rishikim më nuk ka dhe bëj apel edhe tek prindërit e mësimdhënësit që të organizohemi për të kompensuar të gjitha humbjet e shkaktuara tek nxënësit”, ka thënë ajo, transmeton Ekonomia Online.
Ajo ka akuzuar Këshillin e Prindërve për deklarata të pamatura dhe të paqëndrueshme.
“Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve me deklaratat e tyre shpesh të pamatura dhe të paqëndrueshme dhe konsideroj se kanë një nguti dhe i lus ata që po thirren në emër të Këshillit të Prindërve që të kenë në radhë të parë interesin më të mirë të fëmijëve”, ka thënë Nagavci.
