Nagavci i kërkon Prokurorisë Speciale të nis hetimet për zgjedhjen e drejtorit të Albanologjikut
Zyrtarja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i është drejtuar Prokurorisë Speciale me kërkesë për nisjen e hetimeve lidhur me procesin e zgjedhjes së Naim Berishës në postin e drejtorit të Institutit Albanologjik.
Ajo ka deklaruar se personat e dyshuar mund të kenë kryer tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “cenim i të drejtave në marrëdhëniet e punës” dhe “bashkëkryerje”.
Sipas Nagavcit, “nga raportet dhe dokumentet zyrtare të pranuara deri më tani, është konstatuar se kemi veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave dhe beneficioneve”, në kundërshtim me ligjin dhe kompetencat përkatëse.
Ajo ka shtuar se pret që rasti “të trajtohet me seriozitetin e duhur” nga organet e drejtësisë.
Naim Berisha u zgjodh drejtor i Institutit Albanologjik rreth një muaj më parë, për një mandat katërvjeçar.