Mustafa sfidon Kurtin publikisht: Le t’i publikon komentet që thotë se i ka dërguar në Bruksel për draft-statusin e Asociacionit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka sfiduar publikisht kryeministrin Albin Kurti që të publikon komentet e tij, në Facebook, në lidhje me draft-statusin e Asociacionit, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit që i ka dërguar komentet.
Mustafa i ftuar në Teve1, ka thënë se deklaratën e Kurtit që i ka dërguar komentet për draft-statusin nuk e beson deri sa t’i sheh komentet duke shtuar se ky draft-status nuk duhet të mbahet sekret nga Qeveria, pasi sipas tij një dokument të tillë e ka edhe Serbia.
“Ku janë ato vërejtjet? A i ka parë dikush?…Cilin konfidencialitet, po flasim për një dokument për të cilin z.Kurti thoshte se nuk mund ta ndajë me deputetet dhe me mediat në Republikën e Kosovës, por të njëjtin dokument e kishte Aleksandër Vuçiq në Serbi. Pra, si mund të jetë ky dokument sekret, si nuk mund të ndahet me palët tjera në Kosovë: me partit politike, mediat, qytetarët e Kosovës përmes jush, por mund të ndahej me Vuçiq. Si mund një kryeministër i Kosovës të jap një deklaratë të tillë, e kam të paqartë, të pakuptimtë…Nuk është një dokument sekret, nëse e ka e gjithë Serbia si mund të jetë dokument sekretë. E dyta nëse Kurti ka dorëzuar komente në Bruksel për atë draft-statut le t’i ndajë, nëse jo me deputet, le të ia dorëzojë mediave… tek e fundit le ta postojë në Facebook. Unë e sfidojë Kurtin le ti publikojë komentet e tij që i ka dhënë në draft-statutin në Facebookun e tij, t’i shohim çfarë komentesh ka dhënë për atë dokument. Deri atëherë unë dhe gjithë të tjerët e konsiderojmë se nuk ka dhënë asnjë koment të vetëm.” – ka thënë Mustafa i LDK-së.