Mustafa: Kosova të heqë dorë nga marritë e fortifikimit të kryetarëve në “kullat” e komunave në veri
Në një intervistë të fundit për Gazetën Express, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ndonëse marrëveshja është prezantuar fuqishëm nga qeveria si një hap drejt njohjes faktike, ajo tani nga e njëjta qeveri është shpallur si një "lëshim i madh" duke cituar pohimet e fundit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se “njohja formale nuk ka dhe ky ishte një lëshim i madh nga Kosova” për të përditshmen serbe “Danas”.
Mustafa theksoi se kjo marrëveshje, e cila duket të ketë mungesë të vullnetit për implementim, është më e rëndë dhe ka pasoja të paparashikueshme në krahasim me Marrëveshjen e Parë. Ai shprehu shqetësimin e tij për pasojat që kjo marrëveshje mund të ketë për Kosovën në të ardhmen.
“Marrëveshja e fundit e pranuar, e propaganduar fuqishëm nga qeveria për njohje faktike (por tani e deklaruar nga e njëjta se është bërë lëshim i madh sepse është hequr dorë nga njohja formale), me mungesë të vullnetit për implementim është më e rëndë dhe me pasoja të pa parashikueshme në krahasim me Marrëveshjen e Parë”, ka pohuar Mustafa.
Ish-kryeministri gjithashtu bëri thirrje që qeveria e Kosovës të rikthejë fokusin e dialogut në njohjen reciproke me Serbinë dhe të heqë dorë nga marritë e fortifikimit të kryetarëve të komunave në "kullat" e tyre, në të cilat, sipas tij, s'ka asnjë qytetar që kërkon shërbime.
“Kosova do duhej ta rikthejë sa më shpejtë fokusin e dialogut në njohje reciproke e të heqë dorë nga marritë e fortifikimit të kryetarëve në “kullat” e komunave, në të cilat s’shkon asnjë qytetar për të kërkuar shërbime”, ka thënë ai.