Mustafa i PDK-së: Në mungesë të sukseseve, Kurti po mundohet t'i përvetësoj arritjet dhjetëvjeçare të Kosovës
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka thënë se se kryeministri Kurti po përpiqet të paraqesë suksesin e dekadave të kaluara si arritje të qeverisjes së tij, duke e përvetësuar kështu progresin e Kosovës. Ai e quan këtë tentativë një përpjekje për të fshehur dështimet e vet.
Sipas Mustafës, mungesa e sukseseve të dukshme të Qeverisë aktuale ka shtuar nevojën e tyre për të përdorur propagandën si një mjet kryesor për të maskuar paaftësinë e tyre për të ndryshuar situatën në vend. Ai ka theksuar se propaganda është bërë instrumenti më i përdorur nga Qeveria për të përfituar mbështetjen e publikut.
Kontekst: Duke cituar një pjesë të konferencës për shtyp të Bankës Botërore, Kurti theksoi se Kosova ka përjetuar rritje të të ardhurave për kokë banori me rreth 50 për qind krahasuar dhe një zvogëlim të shkallës së varfërisë me 35 për qind krahasuar me 10 vite më parë.
"Vlerësime të larta për Kosovën nga Banka Botërore këtë javë. Sipas këtij institucioni, krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për frymë për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%, “duke tejkaluar vendet e ngjashme me të ardhura të ngjashme për frymë”, shkroi Kurti në Twitter.
Në raportin e Bankës Botërore kjo frazohet krejt ndryshe. Nuk thotë “krahasuar me para 10 viteve” por “gjatë dekadës së shkuar”. Këto dy shprehje shënjojnë krejt tjetër gjë.
Kurti shënjon krahasim dy-polësh: SOT krahasuar me PARA DHJETË VITESH; ndërkaq ajo e Bankës Botërore thotë se progresi ekonomik ËSHTË BËRË GJATË DEKADËS SË FUNDIT. Pra, është në të vazhdueshmen, e jo në formën e pikëprerjes së tashmes me të kaluarën.
