Musliu pyetet për deklaratën e Sveçlës pas raportimit të drejtorit të AKI-së: Nuk u morëm sot me të
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një intervistë të martën, deklaroi se kanë informacione intelegjente se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e grupit që kreu sulmin në Bajnskë. Në lidhje me këto deklarata, sot është pyetur kryetarja e Komisionit për Mbikqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Ganimete Musliu.
Përgjigjur në pyetjen se a iu transmetuan sot këto informacione gjatë raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, në komision, Musliu tha se nuk janë marrë shumë me deklaratat e ministrit Sveçla.
Musliu bëri me dije se më shumë kanë qenë të interesuar të dijnë se si do të reagohet në rast se raste të tilla ndodhin sërish.
“Krejt çka folëm sot për sulmin e Bajnskës, thjesht më interesoi të di a ka arrit Kosova, në këtë rast AKI-ja, që të nxjerrë mësimet nga ai rast, dhe që raste të tilla, nëse hipotetikisht mund të ndodhin, mos të na befasojnë dhe mos të kemi dëme të njëjta. Ndërsa nuk jemi marrë shumë më deklaratat e Sveçlës.” – tha ajo.
Ndërkohë, Sveçla mbrëmë u shpreh si vijon:
“Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiç ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë. Ne kemi skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e kapaciteteve”.