Musliu kërkon transparencë të plotë për Fondin e Sigurisë: “Qeveria po i shmang pyetjet thelbësore” - NACIONALE

Musliu kërkon transparencë të plotë për Fondin e Sigurisë: “Qeveria po i shmang pyetjet thelbësore”

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka ngritur sërish çështjen e transparencës së Fondit të Sigurisë, një mekanizëm i krijuar nga Qeveria para tre vitesh me qëllim mbështetjen e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Ajo ka deklaruar se qytetarët dhe diaspora kanë kontribuar me mjete financiare, por sipas saj, mungojnë informatat zyrtare se ku kanë përfunduar këto para dhe si janë shpenzuar.

Sipas Musliut, Qeveria Kurti vazhdon të heshtë përballë pyetjeve legjitime të publikut. Ajo thotë se, pavarësisht premtimeve për transparencë, informatat rreth Fondit të Sigurisë nuk janë bërë publike, ndërsa një pjesë e dokumenteve mbi këtë fond, sipas saj, trajtohen si “sekrete”.

Në postimin e saj, Musliu ka ngritur disa pyetje kryesore që, siç thotë ajo, Qeveria i ka shmangur deri më sot:

Sa para janë mbledhur realisht në Fondin e Sigurisë?

Ku kanë përfunduar këto mjete?

Për çfarë janë shpenzuar?

Sa është investuar në pajisje ushtarake, infrastrukturë dhe mbrojtje civile?

Ajo thekson se nuk ka raporte të publikuara, as ndarje të detajuar të shpenzimeve, dhe as një auditim të pavarur që do t’i jepte publikut qartësi mbi menaxhimin e fondit.

“Fondi i Sigurisë është para publike, jo pasuri private e askujt”, shkruan Musliu, duke shtuar se mungesa e transparencës, sipas saj, nuk është rastësi por “zgjedhje e qartë politike”. Ajo paralajmëron se heshtja e Qeverisë vetëm sa e shton dyshimin për mënyrën e menaxhimit të këtij fondi.

Lajme të ngjashme