Musliu denoncon policin që e cenoi fizikisht në Kuvend: Kush e ftoi Policinë në sallë, kush e ka dhënë urdhrin? - NACIONALE

Musliu denoncon policin që e cenoi fizikisht në Kuvend: Kush e ftoi Policinë në sallë, kush e ka dhënë urdhrin?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë të ditur se bashkë me sekretaren e përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës një polic, i cili e kishte cenuar fizikisht në sallën e seancës plenare.

Musliu ka kërkuar hetim jo vetëm për veprimet e policit, por edhe për mënyrën se si Policia e Kosovës është ftuar në sallën e Kuvendit.

Ajo ka ngritur pyetjen se kush e ka autorizuar praninë dhe ndërhyrjen e Policisë në sallë, duke kërkuar të sqarohet nëse urdhri është dhënë nga mandatar-i për udhëheqjen e seancës, Avni Dehari.

“Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit?”, ka deklaruar Musliu.

Sipas saj, përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te polici që ka kryer veprimin, por duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që ka çuar në praninë e Policisë në sallë.

Musliu ka thënë se për 15 vjet, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, ka punuar për një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet.

“Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”, ka thënë ajo, duke u bërë thirrje policëve dhe shërbyesve civilë që t’i qëndrojnë besnikë ligjit, Kushtetutës dhe detyrës profesionale.

Lajme të ngjashme