Murati: Debati të përqendrohet në rrugën që Kurti do të ndjekë në dialogun me Serbinë
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka komentuar takimin e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti me sekretarin e Shtetit, Antonie Blinken.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pas këtij takimit debati duhet të përqendrohet në rrugën që kryeministri Kurti do të ndjek në dialogun me Serbinë.
“Debati tani duhet të përqendrohet jo në mungesën e takimit të kryeministrit me administratën amerikane por në rrugën qo ai do të ndjek në dialogun me Serbinë. Takimi i Kryeministrit Kurti (dhe presidentes) me Sekretarin e Shtetit Blinken heq nga rendi i ditës në debatet tona të përditshme se në çfarë niveli protokollar është pritur kryeministri ynë në Uashington. Takimi me Sekretarin e Shtetit është takim jo vetëm dinjitoz por edhe adekuat duke pasur parasysh se Departamenti i Shtetit nga të gjitha strukturat qeveritare të SHBA-ve merret më së shumti me Kosovën në përgjithësi dhe me dialogun në veçanti. Tani, temë e debatit në shoqërinë tonë, në media e politikë do të duhej të ishte cila do të jetë rruga që kryeministri dhe qeveria do të marrin karshi dialogut me Serbinë. A po futen në rrugën e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara apo kryeministri po do të blej ende kohë (nëse ka sa i përket dialogut)?”, ka shkruar Murati.
Murati ka shprehur drojën e tij se Kurti do ta zgjedh rrugën e cila prapë dërgon në status quo.
“Nëse qasja është zbatimi i marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, përfshirë asociacionin a nënkupton kjo njohje nga Serbia dhe mbi të gjitha një Kosovë funksionale? Apo mos futja në këtë rrugë na çon në bisedime të pafundme herë teknike e herë politike, në të cilat Kosova përmes 'qasjes konstruktive' do të ngecet në realizimin e marrëveshjeve të shumta të copëzuara? Apo mos kryeministri do ta shfrytëzojë këtë moment të mirë politik (si dhe legjitimitet të madh që e ka brenda Kosovës) për ta përmbysur kornizën e bisedimeve, për t’u vendosur në ofensivë dhe duke hequr vellon e popullistit profesionist e duke u shndërruar në burrështetas, të kërkojë guximshëm zgjidhjen e problemeve të mëdha me Serbinë e mbi të gjitha atë të veriut të Kosovës dhe të Kosovës Lindore përmes zbatimit të reciprocitetit? Vazhdoj me qenë skeptik se kryeministri do ta ndjek rrugën e fundit. Të gjitha të tjerat çojnë prapë o në status quo, o në Kosovë edhe më jo funksionale se kjo e sotmja”, ka shkruar ai.