Mostrajtimi i Asociacionit “pengesë kryesore” për integrimin euroatlantik të Kosovës, thotë Maliqi
Studiuesi Agon Maliqi duke folur për çështjen e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe – përkatësisht mostrajtimin e saj – ka thënë se mbetet “pngesa kryesore” e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe se qeveritë në ardhje duhet ta trajtojnë atë.
“Mendoj se qeveria e Kosovës, ndoshta jo kjo, do të duhet të merret me të sepse është një pengesë kryesore për integrimin euroatlantik të Kosovës” ka thënë Maliqi në emisionin “Most” të Radios Evropa e Lirë.
“Fatkeqësisht, kjo qeveri ka krijuar besimin në opinion se ne nuk mund t’i përmbushim obligimet e dakorduara, edhe pse ajo vetë e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit. Megjithatë, kushdo që vjen në pushtet pas zgjedhjeve të shkurtit, do të duhet të merret me këtë çështje – qoftë qeveria e Kurtit, koalicion i Kurtit me një parti apo koalicion i opozitës aktuale” ka vlerësuar Maliqi.
“Do të duhet të fillojë me zbatimin e pjesës së marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të eliminuar pengesën kryesore për integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kjo nënkupton jo vetëm pranimin në Këshillin e Evropës, por edhe garancinë se Kosova do të njihet nga pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e njohin tani” ka shtuar ai.