Ministri Hoti për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan: Do të merren të gjitha masat ligjore nëse konstatohen shkelje nga Qendra për Punë Sociale - NACIONALE

Ministri Hoti për rastin e 5-vjeçarit në Lipjan: Do të merren të gjitha masat ligjore nëse konstatohen shkelje nga Qendra për Punë Sociale

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se do të merren të gjitha masat ligjore nëse konstatohen shkelje nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan lidhur me rastin tragjik të fëmijës pesëvjeçar që përfundoi në QKUK.

“Rasti tronditës që jo vetëm ne si institucione, por edhe ju si qytetarë kemi pasur para dy ditësh për rastin tragjik të fëmijës pesëvjeçar i cili ka përfunduar në QKUK. Besoj që gjendja e tij është më mirë shëndetësore sesa që ka qenë. Këtu më duhet me i sqaruar disa elemente ligjore. Megjithatë ne duhet me ditë që të gjitha rastet sociale në Republikën e Kosovës që përfshijnë trajtimin e dhunës, keqtrajtimin dhe çdo lloj forme tjetër që kërkon është i nevojshëm ndërhyrja e institucioneve janë kompetencë e komunave, përkatësisht e Qendrave për Punë Sociale dhe jo e ministrisë që udhëheq unë”, tha Hoti.

“Roli i ministrisë në këtë rast është vetëm planifikimi i politikave, hartimi i politikave sociale dhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre përmes mekanizmave që ne aktualisht i kemi. Ministria në këtë aspekt e ka njësinë e inspektimit të cilën ne e kemi aktivizuar dje dhe e kemi udhëzuar dje që me urgjencë të shkojmë me hetuar rastin në QPS në Lipjan. Kjo njësi ka për mandat që në kuadër të fushëveprimtarisë, në kuadër të kompetencave të saj të legjislacionit në fuqi apo ligjit për shërbime sociale dhe familjare, të hetojë rastin dhe të rekomandojë ministrin për detyrimet në bazë të gjetjeve të këtij rasti.Pastaj ministri ka të drejtë, nëse ka gjetje serioze në bazë të raportit të inspektoratit, të revokojë licencat për individët që janë ofrues të shërbimeve sociale në këtë apo kudo tjetër në QPS në Republikën e Kosovës. Edhe një e drejtë tjetër që jepet me këtë ligj por që pastaj nuk jepet me ligjin për vetëqeverisje lokale është të revokojë licencën e QPS-së në tërësi, kudo qoftë ajo në cilëndo komunë, por ligji për vetëqeverisje lokale këtë gjë nuk e lejon në këtë moment”, tha ai.

Ministri bëri të ditur se është pranuar një raport preliminar dhe se pritet raporti përfundimtar i inspektimit.

“Ne kemi marrë një raport preliminar dhe do ta shpjegoj pak a shumë se çfarë përmban ky raport preliminar, domethënë në momentin që ne pranojmë raportin përfundimtar nga njësia e inspektimit dhe nëse konstatohen vërtet shkelje nga qendra, nga QPS-ja, atëherë mund t’ju siguroj që do të merren të gjitha, ama të gjitha masat ligjore që janë në kompetencë time, duke përfshirë edhe revokimin e licencave për individët që punojnë në atë QPS. Duhet thënë se kanë qenë para dy vjetësh gjashtë zyrtarë dhe aktualisht janë vetëm tre zyrtarë. Në këtë rast më duhet patjetër që përmes juve, përmes mediave, t’u bëj thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që të rrisin kapacitetet në qendrat për punë sociale, duke përfshirë edhe aspektin njerëzor, kapacitete humane, por edhe infrastrukturë, në mënyrë që ne pastaj të mund t’i dalim zot dhe të kemi një cilësi në trajtim të këtyre rasteve, që po mendoj në kuptim të parandalimit, sepse masi të ndodh rasti, ne i kryjmë punët tona, po për atë fëmijë kjo nuk ka shumë rëndësi”, tha ai.

Lajme të ngjashme