Mijëra të evakuuar në Francë për shkak të zjarreve në natyrë
Mijëra turistë janë evakuuar në pjesën jugperëndimore të Francës, pasi një sipërfaqe prej rreth 1.500 hektarësh u dogj nga zjarret.
Zjarrfikësit dhe qindra punëtorë të ekipeve emergjente u munduan të mërkurën që ta vinin zjarrin nën kontroll, kur vendi po ballafaqohet me valën e dytë të vapës brenda dy muajve.
“Katër aeroplanë dhe shumë zjarrfikës janë mobilizuar, ndihma po vjen edhe nga distriktet fqinje”, thanë autoritetet lokale në distriktin Gironde, që është prekur nga zjarret.
Më i madhi nga dy zjarret në Gironde është përhapur përreth qytezës Landiras, në jug të Bordosë, ku rrugët janë mbyllur dhe qindra njerëz janë evakuuar. Mbi 1.000 hektarë tokë janë djegur në atë zonë.
Franca është ballafaquar me zjarre në natyrë edhe më herët këtë vit. Gati 200 hektarë janë shkatërruar në qershor në rajonin Occitanie.
Evropa Perëndimore dhe Jugperëndimore po ballafaqohet me temperature të larta ditëve të fundit. Në Portugali, të shtunën u regjistruan 125 zjarre, që ishte shifra më e madhe brenda një dite këtë vit.