Myftiu i Kosovës kërkon nga partitë të zhvillojnë fushatë të matur: Larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes - NACIONALE

Myftiu i Kosovës kërkon nga partitë të zhvillojnë fushatë të matur: Larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka ftuar partitë politikë që të zhvillojnë një fushatë zgjedhore me dinjitet, maturi dhe respekt.

Në mesazhin e tij për festen e Kurban Bajramit, ai iu ka bërë thirrje subjekteve politike që të qëndrojnë larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes.

Në një konferencë për media, Tërnava ka thënë se Kosova ka nevojë për unitet.

“Në realitetin politik dhe ekonomik që po kalon vendi ynë, kjo festë na fton të reflektojmë për më shumë përgjegjësi, unitet dhe shpresë. Le të jetë Bajrami një moment afrimi mes njerëzve, tejkalim i ndasive dhe forcimi i besimit. Më 7 të muajit të ardhshëm, vendi ynë përballet me një moment vendimtar për demokracinë, dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e shtetit, ditën kur zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim. Është dita kur vota bëhet forcë, përgjegjësi dhe shpresë, për të mbrojtur të ardhmen tonë me guxim, unitet dhe vizion”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për unitet.

“Andaj ju bëj thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt, larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes. Le të garohet me ide, vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut, sepse sovrani është qytetari, dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik. Pavarësisht rezultatit, Kosova ka nevojë për unitet, bashkëpunim dhe institucione të forta që i shërbejnë popullit dhe mbrojnë të ardhmen e vendit tonë. I Dërguari i fundit për njerëzimin mbarë, Muhamedi a.s., ka thënë: ‘Më i dashuri te Zoti është ai që është më i dobishëm për njerëzit.’”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme