Mërgimtari që u kap me Haxhiun: Pollavraxhinjtë janë në institucione shtetërore
Korab Blakaj, mërgimtar, që u vu në cak të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me një postim ironizues, ditë më parë foli edhe për kryeministrin Albin Kurti.
Nacionale ditë më parë e ka pyetur Blakajn, që është biznesmen në diasporë, se çfarë mendon për deklaratën e kryeministrit sistemi arsimor kosovar prodhon analfabetë funksionalë të cilët pastaj ose bëhen për asistencë sociale ose ikin në Gjermani si punëtor krahu.
Biznesmeni kosovar nga diaspora, i cili e ka mbështetur Kurtin në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, deklaroi se nuk e ndan të njëjtin mendim me kryeministrin.
Ai ka thënë se rinia kosovare është e aftë për çfarëdo projekti.
Tutje, ai e ka quajtur “asgjëbërës” Kurtin.
“Jo nuk mendoj (që janë analfabetë funksionalë v.j.). Rinia jonë është e aftë për çdo projekt. Me dy fjalë: inteligjenca është në biznis- pollavraxhinjtë asgjëbërës në poste shtetërore!”, tha ai.
Në profilin e tij në Facebook, Blakaj ka treguar disa nga projektet në të cilat ka marrë pjesë kompania që ai e udhëheq.
Kujtojmë që Haxhiu ka paralajmëruar ndjekje penale ndaj Blakajt për një postim ironizues në Facebook, e për të cilën ministrja e Drejtësisë mori shumë reagime.