Mërgimtari i tha “mos e paç emrin”, Jashari: Më vjen keq për zotëriun, VV ka arritur ta përçajë shoqërinë tonë - NACIONALE

Mërgimtari i tha “mos e paç emrin”, Jashari: Më vjen keq për zotëriun, VV ka arritur ta përçajë shoqërinë tonë

1 orë më parë

nga NACIONALE

“Nuk e meritoni as ta thithni ajrin e Kosovës” dhe “Mos e paç emrin” ishin disa nga fjalët fyese që mërgimtari Haxhi Gashi, i cili është përshkruar si përkrahës i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ia ka drejtuar deputetes së PDK-së, Sala Jashari, në Kuvendin e Kosovës.

Jashari mban emrin e trashëguar nga gjyshja e saj, e cila ishte vrarë bashkë me shumë anëtarë të tjerë të familjes Jashari.

Deputetja ka folur për këtë ngjarje, e cila ndodhi ditë më parë në Kuvend, gjatë përplasjes mes deputetëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes. Në atë kohë, në Kuvend ishin të pranishëm edhe mërgimtarë, pasi institucioni ishte hapur për vizitorë për tri ditë.

Jashari ka thënë se i ka ardhur keq për personin që iu drejtua asaj, ndërsa incidentin e ka cilësuar si pasqyrë të përçarjes në shoqëri.

“Më ka ardhur keq për zotëriun në fjalë dhe etiketimet që janë bërë në rrjetet sociale, megjithatë kjo është pasqyra që VV ka arritur të krijojë, një përçarje në shoqërinë tonë dhe këtu është reflektuar më së shumti”, tha Jashari për T7.

Në pamjet e publikuara nga incidenti, Haxhi Gashi dëgjohet duke iu drejtuar Jasharit me fjalët: “Ju as ajrin s’e meritoni me e thithë” dhe “S’po më intereson kush je, mos e paç emrin”.

Lajme të ngjashme