Meloni shënon rekord në Itali, gati katër vjet në pushtet
Një periudhë rekorde e stabilitetit qeveritar e ka fuqizuar Italinë, e cila nuk shihet më brenda Bashkimit Evropian si “rast për t’u vëzhguar”, tha të premten kryeministrja Giorgia Meloni, kur administrata e saj u bë me pushtetin më të gjatë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.
Në një shtet famëkeq për brishtësi politike, koalicioni djathtist i Melonit e ka tejkaluar rekordin e Silvio Berlusconit të vitit 2005, duke kaluar më shumë se 1.400 ditë në pushtet që nga tetori i vitit 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Stabiliteti është reforma e parë e madhe që ia kemi dhënë këtij kombi. Duke iu falënderuar këtij stabiliteti, Italia nuk është më vend për t’u përcjellë nga Evropa” – tha ajo para mbështetësve në qytetin Bari.
Analistët gjerësisht pajtohen se arritja më e madhe e Melonit ka qenë rikthimi i besimit në financat e Italisë, por kritikët thonë se është bërë pak për reformimin e administratës publike joefikase, kujdesit shëndetësor dhe sistemit të arsimit.
Reformat kryesore institucionale të qeverisë, përfshirë planet për fuqizimin e kompetencave të kryeministres, kanë ngecur, ndërsa votuesit këtë vit kundërshtuan një referendum të mbështetur nga qeveria për reformën në drejtësi.