Meloni falënderon Ramën: “Miku im, arrin të ndërthurësh ironinë me të vërtetat” – “Krenare për rrugëtimin tonë në Europë” - NACIONALE

Meloni falënderon Ramën: “Miku im, arrin të ndërthurësh ironinë me të vërtetat” – “Krenare për rrugëtimin tonë në Europë”

3 orë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, pasi ajo ka shënuar një rekord historik në drejtimin e qeverisë së Italisë.

Në mesazhin e tij, Rama e ka përgëzuar Melonin për mandatin më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane, duke e shoqëruar urimin me batuta për politikën italiane, gratë në pushtet dhe marrëdhëniet e Italisë me Evropën.

Meloni i është përgjigjur Ramës duke e falënderuar dhe duke vlerësuar mënyrën se si ai, sipas saj, arrin të ndërthurë ironinë me “disa të vërteta jo fort të rehatshme”.

“Edi, miku im, faleminderit nga zemra për këtë videomesazh. Si gjithmonë, arrin të ndërthurësh ironinë me disa të vërteta jo fort të rehatshme!”, ka shkruar Meloni.

Më tej, kryeministrja italiane ka vijuar me një tjetër batutë, duke iu referuar ndryshimeve të shpeshta të qeverive dhe bashkëbiseduesve politikë në Itali.

“Më vjen mirë të di që, pas kaq shumë ndryshimeve të bashkëbiseduesve në Romë, më në fund ke pasur mundësinë të krijosh pak më shumë afeksion për atë aktualin. Ndërrimi i shpeshtë i stolit nuk ndihmon kurrë për të ndërtuar diçka solide. Por në fund, kur gjen ekipin e duhur, është më e lehtë të luash mirë dhe të marrësh rezultate”, është shprehur ajo.

Meloni ka theksuar gjithashtu marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e cilësuar Shqipërinë “një mike dhe një partnere të çmuar”.

“Gjatë këtyre viteve kemi ndarë një marrëdhënie të sinqertë dhe një bashkëpunim konkret, që ka forcuar gjithnjë e më shumë lidhjen mes dy vendeve tona.

Shqipëria është një mike dhe një partnere e çmuar, dhe jam krenare për rrugëtimin që po bëjmë së bashku edhe në kuadër të Evropës. Një përqafim të përzemërt dhe shihemi së shpejti!”, ka përfunduar kryeministrja italiane.

Lajme të ngjashme