Medvedevi e paralajmëron NATO-n kundër furnizimit të Ukrainës me sistemet raketore Patriot
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, e paralajmëroi NATO-n të martën kundër furnizimit të Ukrainës me sisteme të mbrojtjes raketore të tipit Patriot. Ai e quajti aleancën “entitet kriminal” për furnizimin e “regjimeve ekstremiste” me armë.
“Nëse, siç la të kuptohej Stoltenbergu, NATO-ja do t’i furnizojë fanatikët ukrainas me sisteme Patriot bashkë me personelin e NATO-s, ata do të bëheshin menjëherë cak legjitim i forcave tona të armatosura”- shkroi ish-presidenti rus në rrjetin Telegram.
Në shkrimin e tij nuk ishte e qartë nëse cak do të bëheshin sistemet Patriot, forcat ukrainase apo personeli i NATO-s, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.
“Bota e civilizuar nuk ka nevojë për këtë organizatë. Ajo duhet të pendohet para njerëzimit dhe të shpërbëhet si entitet kriminal”- shkroi Medvedevi në një shkrim të mëhershëm.
Ukraina ka kërkuar nga partnerët perëndimorë sisteme ajrore, përfshirë sistemet Patriot të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, për t’u mbrojtur nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës së energjisë.