Me anëtarësim në KiE familjarët e personave të zhdukur mund të padisin Serbinë, thotë Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se me t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës, familjarët e personave të pagjetur të zhdukur me dhunë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ku mund të padisin Serbinë.
“Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, të gjitha familjet do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për ta paditur Serbinë për shkeljen e të drejtës në jetë për familjarët e tyre, për shkeljen e të drejtës në dinjitet njerëzor dhe shumë të drejta të tjera, të cilat i kanë familjarët”, ka thënë Osmani në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur.