Me 24 dhjetor protestohet kundër Speciales, Molliqaj: Duhet të kundërshtohen gjykatat që sjellin padrejtësi
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se të shtunën do të protestohet kundër Gjykatës Speciale nën sloganin “Jo në emrin tim!”.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se kjo protestë e cila do të mbahet me 24 dhjetor në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, vjen si pasojë e vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-komandantiti të UÇK-së, Salih Mustafa.
“Të premten e javës së kaluar, Dhomat e Specializuara shqiptuan dënim ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa. Vendimi ishte jashtëzakonisht shqetësues dhe alarmues. Ligji nën të cilin po operojnë Dhomat e Specializuara nuk përkon me frymën universale të të drejtave të njeriut e në disa raste, tashmë të dokumentuara nga raportime të ndryshme, së fundmi edhe nga Avokati i Popullit, ka shkelur në mënyrë flagrante ato drejta”, thuhet në postimin ne Molliqajt.
Ai tutje ka thënë se duhet të kundërshtohen gjykatat që sjellin padrejtësi, pasi sipas tij, ato nuk flasin në emër të popullit të Kosovës.
“Për neve dy rrugë janë të qarta sesi duhet të veprohet; Së pari, nevojitet urgjentisht të amadamentohet ligji për Dhomat e Specializuara ashtu që nenet më problematike të ndryshohen e kjo gjykatë të shndërrohet në trup gjykues që sjell drejtësi. Kështu siç është, ajo riprodhon padrejtësi në njërën anë dhe shtrembëron historinë e luftës çliruese të UÇK-së në anën tjetër.Së dyti, vendimet e veprimet e kësaj gjykate, nga arrestimet e krerëve të UÇK-së e gjerë te deklaratat e udhëheqësve të kësaj gjykate, kanë qenë politike. Si të tilla, së bashku me mënyrën sesi u shqiptua dënimi për z.Mustafa, tregojnë qartazi tendencën që kjo gjykatë ka; tjetërsimin e luftës çliruese të UÇK-së. Me bazën ligjore nën të cilën vepron, me tendencën politike që ka, kjo gjykatë nuk mund të sjellë drejtësi për askënd e as nuk mund të flas në emër të popullit të Kosovës”, përfundon statusi i tij.