Mbyllja e rrugëve në Prishtinë, Maliqi: Largimi i makinave prej qendrës nuk e dëmton biznesin
Politologu Agon Maliqi ka mbështetur kryetarin e Prishtinë, Përparim Rama, i cili së fundi ka marrë vendim për bllokimin edhe të disa rrugëve në qendër të kryeqytetit.
Ai ka bërë me dije se nuk është i qëndrueshëm argumenti se largimi i makinave prej qendrës e dëmton biznesin.
Në profilin e tij në “Facebook”, Maliqi ka shkruar se në çdo qytet ku janë mbyllur qendrat për qarkullim dhe është kufizuar parkimi, bizneset kanë lulëzuar.
“Argumenti më i lodhur që dëgjohet këto ditë është se largimi i makinave prej qendrës e dëmton biznesin. Në çdo qytet ku janë mbyllur qendrat për qarkullim dhe është kufizuar parkimi, bizneset aty kanë përfunduar duke lulëzuar sepse ato hapësira bëhen miqësore për njerëzit dhe mbushen. Sot prej makinave dhe kaosit urban të vetmet hapësira publike që mbushen dhe ku mundesh me dalë me fëmijë janë qendrat tregtare. E cakton një orar për furnizime si dhe qasje për shërbime publike, dhe qaq. Insistimi që me shku me makinë deri te dera e shërbimit apo vendit të punës është sindromë e dembelisë ekstreme si dhe kultit të cilin e ka fituar makina si shënjues i statusit social”, ka shkruar Maliqi.