Mbyllet një hapësirë në Obiliq ku dyshohet se ofroheshin shërbime mjekësore pa leje
Një rast për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore, si dhe për prodhim e shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore, është raportuar në Obiliq.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dyshohet se brenda një objekti janë ofruar shërbime mjekësore pa autorizimin e nevojshëm nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas njoftimit, për rastin janë njoftuar Inspektorati Farmaceutik dhe Inspektorati Shëndetësor. Në prani të inspektorëve është vendosur vula zyrtare, me të cilën është ndaluar vazhdimi i veprimtarisë në atë hapësirë.
Në lidhje me rastin janë intervistuar dy persona, një burrë dhe një grua. Pas inicimit të procedurës, me vendim të prokurorit, të dy janë liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Njoftimi:
USHTRIM I KUNDËRLIGJSHËM I VEPRIMTARISË MJEKËSORE /PRODHIMI DHE SHPËRNDARJA E PRODUKTEVE TË DËMSHME MJEKËSORE / Obiliq / 30.05.2026 – 14:00. Dyshohet se në një nga dhomat e një objekti ishin ofruar shërbime mjekësore pa leje adekuate nga Ministria e Shëndetësisë. Lidhur me informatën është njoftuar inspektorati farmaceutik dhe shëndetësor dhe në prezencë të tyre është vendosur vula zyrtare për ndalimin e veprimtarisë. Në cilësi të dyshuarve janë intervistuar dy persona (një mashkull dhe një femër) të cilët pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Gjithashtu në një hapësirë tjetër të objektit janë gjetur pjesë të vjetruara të uniformës së policisë së Kosovës.