Mbi 900 të vrarë në Gazë këtë vit pavarësisht armëpushimit, thotë ministria e drejtuar nga Hamasi
Më shumë se 900 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Gazë këtë vit pavarësisht armëpushimit, sipas të dhënave më të reja nga Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Hamasi.
Kështu, numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë në enklavë nga 10 tetori, kur ishte shpallur armëpushimi, shkon në mbi 1.300, përfshirë 301 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, raporton televizioni BBC.
Muajt e fundit kanë qenë disa prej më vdekjeprurësve, sipas të dhënave. Mbi 100 njerëz raportohet të jenë vrarë për secilin muaj nga prilli deri në gusht.
Ministria e Shëndetësisë i fajëson drejtpërdrejt veprimet e ushtrisë izraelite për të vrarët, por nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve.
Kombet e Bashkuara i cilësojnë të besueshme këto të dhëna dhe ekspertët i kanë thënë programit “BBC Verify” se analiza e tyre e pavarur përputhet me të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sidoqoftë, ushtria izraelite i vë në pikëpyetje numrat e Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo i tha programit “BBC Verify” se “nuk ka bazë për të supozuar” se të gjithë personat që ndodhen në listë janë vrarë si rezultat i veprimeve të ushtrisë izraelite.