Mbajti 3 vjet e gjysmë në burg pa faj, gjilanasit i ofrohen 100 mijë euro, kërkon 1 milion
Edhe pse ishte i pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohej, Gazmend Lakna qëndroi për tri vjet e gjysmë nëpër burgje të ndryshme në Kosovë.
Për kohën e kaluar në qeli, Lakna tash kërkon nga Këshillit Gjyqësor të Kosovës 1 milion euro, por Gjykata Themelore e Gjilanit, ka vendosur se atij i takojnë vetëm 103 mijë euro si kompensim.
Prandaj, për këtë kohë të kaluar prapa grilave, Gjykata Themelore e Gjilanit vendosi në fillim të korrikut, që ta dëmshpërblej Gazmend Laknën me 103 mijë euro.
Mirëpo, kjo shumë për gjilanasin, është e papranueshme.
“Mendoj që është shumë qesharake kjo 100 mijë euro. Fundi i fundit unë 100 mijë euro nuk ja marrë hiç. Ja lo krejt e nuk ja marrë hiç. Po të drejtën ligjore do ta shfrytëzojë, qoftë nevoja do të pres, nëse do Zoti hyn Kosova në Këshill të Evropës, deri në Strasburg do të shkoj. Do ta shtyej me mjete ligjore, se me gjyks nuk kam me kënd”, ka thënë Gazmend Lakna, transmeton Dukagjini.
Për kohën kaluar në ballafaqim me drejtësinë, Lakna po kërkon plot 1 milion euro.
“Me drejtësinë hala nuk po mundem me u nda. Do të thotë hala jam në proces gjyqësor. Paramendo përmbi një dekadë, përmbi një dekadë është shumë, se është jetë, është jetë. Nuk kam mujtë unë me e prekë pauzë edhe me thënë po pauzoj qito dhjetë vjet se kam problem me drejtësinë dhe tani ja nisi unë me jetu prapë. Koha ka ecë”, ka thënë Gazmend Lakna, qytetar.
Lakna, dyshohej nga EULEX, e më pas Prokuroria Speciale, se ishte pjesë e grupit të njohur si “Grupi I Dobrosinit, që kishin sulmuar pikën kufitare të policisë serbe në atë fshat.
Vendimin e dy shkallëve të para që i kishte gjetur fajtor, Supremja e kishte prishur dhe Gjykata Themelore në Gjilan i kishte liruar nga akuzat, vendim që ishte vërtetuar nga shkalla e dytë.