Marrëveshja e Senatit të ShBA-së për ndihmat për Ukrainën, në rrezik - NACIONALE

Marrëveshja e Senatit të ShBA-së për ndihmat për Ukrainën, në rrezik

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bisedimet dypartiake në Senatin e ShBA-së për një marrëveshje rreth sigurisë kufitare, që disa ligjvënës e kanë paraqitur si kusht për miratimin e ndihmave të reja për Ukrainën, janë në rrezik.

“Ne jemi në një moment kritik dhe duhet të lëvizim fort për ta kryer këtë. E nëse nuk arrijmë, atëherë do të kalojmë te plani B”- tha John Thune, senatori numër dy i republikanëve në Senat, raporton gazeta “The Guardian”.

“Tash për tash, të paktën, ende po bëhen përpjekje për t’u munduar që të arrihet një përfundim që do të kënaqte shumë republikanë”- shtoi senatori Thune.

Dështimi për të arritur një marrëveshje do të kishte ndërlikime globale. Pentagoni ka paralajmëruar se ushtarët ukrainas në vijën e frontit, në luftën e tyre kundër Rusisë, rrezikohen që të mbeten pa municion.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, ka thënë se e ardhmja e luftës në Ukrainë dhe “siguria e demokracisë sonë perëndimore” varen nga arritja e një marrëveshjeje nga Kongresi.

Mediumi “Punchbowl News” ka raportuar se udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, u ka thënë republikanëve në një takim privat se po harxhohen koha dhe vullneti politik për të miratuar një marrëveshje dypartiake për sigurinë kufitare të ShBA-së dhe se republikanët nuk duhet ta minojnë synimin e kandidatit të tyre për president, Donald Trump, për ta përqendruar fushatën e zgjedhjeve në temën e migrimit.

Megjithatë, McConnell-i e theksoi përkushtimin e tij për një marrëveshje për kufirin dhe për ndihma për Ukrainën gjatë një dreke të republikanëve të enjten, sipas ligjvënësve që morën pjesë aty.

Lajme të ngjashme