“Marrëveshja e së Premtes së Mirë”: Emisari britanik përmend një opsion për ta zgjidhur situatën Kosovë-Serbi
I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach e ka përmendur zgjidhjen e problemit të Irlandës së Veriut, apo “Marrëveshjen e Belfastit”, si opsion për bisedimet Kosovë-Serbi.
Ai në “Tanjug”, ka deklaruar që kjo marrëveshje është mësim i mirë për pajtim, pasi ka të bëjë me koncesione dhe negociata.
“Kjo [Marrëveshja e Belfastit] është një mësim i mirë për pajtim. Ka të bëjë me koncesione, me negociatat, por mbi të gjitha ka të bëjë me vazhdimin e dialogut.” – ka thënë ai.
Mes tjerash, emisari britanik është shprehur se dialogu mes dy vendeve duhet të dërgojë drejt një të ardhme multietnike e respekti të ndërsjelltë.
Ndryshe, Marrëveshja e Belfastit, që njihet edhe si Marrëveshja e së Premtes së Mirë, kishte zgjidhur rastin mes palëve kundërshtare në rastin e Irlandës së Veriut.