MAPL ende s’ka pranuar njoftim zyrtar për shkarkim të kryetarëve shqiptarë në veri, thotë ministri
Nuk kemi pranuar njoftim zyrtar për këtë “grup nismëtar” për shkarkim të kryetarëve shqitparë në veriun e banuar me shumicë serbe, ka thënë Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas raportimeve se një grup serbësh kanë ndjekur hapat e Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e kryetarëve.
“Jemi në dijeni rreth raportimeve në media se janë mbledhur nënshkrime nga ‘një grup nismëtar’. Megjithatë, ju njoftojmë se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë nismë nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të Komunave respektive apo antarët e grupit inicues siç parashihet me këtë Udhëzim Administrativ”, ka thënë Krasniqi.
“Udhëzimi Administrativ, përcakton qartë procedurën e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës. Kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët e interesuar për inicimin e kësaj procedure, themelojnë grupin nismëtar i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në”, ka shkruar ai.