Maliqi: Kurtit e Vuçiq drejtpërdrejt ose tërthorazi, tregojnë ekzistencën e një propozimi franko-gjerman - NACIONALE

Maliqi: Kurtit e Vuçiq drejtpërdrejt ose tërthorazi, tregojnë ekzistencën e një propozimi franko-gjerman

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas Agon Maliqit, njohës i proceseve politike, deklaratat e fundit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq tregojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, ekzistencën e një propozimi franko-gjerman.

“Dokumenti më shumë është si udhëzues, si sugjerues dhe palët po kapen për elementet e saj, për sfera që duken të dobishme në këtë moment për komunikim strategjik. Kosova besoj që ndoshta sheh hapësirë për optimizëm, për faktin se në këtë formulë – ku sipas të gjitha gjasave nuk parashihet njohja e drejtpërdrejtë, por më shumë implicite – ulet edhe presioni për Kosovën për ta bërë ndonjë kompromis të madh në lidhje me Asociacionin [e komunave me shumicë serbe]. Kështu që, ndoshta aty [në dokument] Kosova e sheh një lloj hapësire për një marrëveshje që së brendshmi mund të jetë më e pranueshme”, ka thënë Maliqi për Radio Evropa e Lirë.

Sipas Maliqit, Serbia nuk ka hapësirë të mjaftueshme në rendin ekzistues ndërkombëtar për t'i bërë ballë presionit perëndimor pa mbështetjen e konsiderueshme të Rusisë. Në ndërkohë, ai pohon se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Perëndimit për të avancuar në integrimet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare.

“Sfida kryesore e këtij propozimi ndërkombëtar është se ai bazohet në shumë supozime dhe rrethana hipotetike, që kanë të bëjnë sidomos me garancitë e ndërmjetësuesve. Pra, në asnjë rrethanë, sidomos sikurse kjo e sotmja, Kosovës nuk mund t’i garantohet ulësja në OKB, sepse aty nuk është çështja vetëm te Serbia, por aty është Rusia dhe Kina. Ndërkohë, Serbisë nuk mund t’i garantohet përshpejtimi i hyrjes në BE, sepse për hyrje në BE nuk është kushti i Kosovës i vetmi, por ka të bëjë edhe me standardet e qeverisjes dhe me reformat”, ka thënë Maliqi.

Lajme të ngjashme