Macron i premton Zelensky-t se Rusia do të përgjigjet për “masakrën” e të burgosurve
Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një telefonate të zhvilluar të hënën me homologun e tij ukrainas, i ka premtuar këtij të fundit se Franca do të mbështesë hetimet penale në lidhje me bombardimin e burgut që mbante të burgosur lufte ukrainas.
“Disa ditë pas një masakre të re të kryer nga forcat e armatosura ruse në Olenivka, dhe ndërkohë që krimet e luftës po shumohen, Macron ripohoi mbështetjen e tij për popullin ukrainas, rezistencën e tij dhe shprehu vendosmërinë e tij për të siguruar që këto krime të mos lihen pa u ndëshkuar”, kështu u shpreh një zyrtar i Elysse, duke informuar për telefonatën mes Macron dhe Zelensky.
Sipas autoriteteve në Republikën e vetëshpallur të Donetskut, nga bombardimet e së premten në Olenivka më shumë se 50 ukrainas kanë humbur jetën.
Lidhur me këtë sulm, zyrtarë perëndimorë, duke përfshirë shefin e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ministrinë e jashtme franceze dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë, kanë bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar për bombardimin.
