Lushtaku përkujton Mujë Krasniqin: Ishte një komandant i paepur dhe trim i rrallë
Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushataku, ka përkujtuar komandant Mujë Krasniqin dhe bashkëluftëtaret e tij që ranë heroikisht më 14 dhjetor të vitit 1998.
Në përvjetorin e rënies së Krasniqit, Lushtaku e ka vlerësuar lartë kontributin e ish-eprorit të UÇK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lushtaku ka shkruar se Krasniqi ka qenë një komandant i paepur dhe trim i rrallë.
“Me 14 dhjetor 1998, komandanti Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 40 bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë heroikisht në Pashtrik, në një betejë të lavdishme në përpjekje për të futur armatim në Kosovë. Mujë Krasniqi, një komandant i paepur dhe trim i rrallë, bashkë me 40 bashkëluftëtarë të tjerë, mbeti përjetësisht në malet e Pashtrikut si simbol i guximit dhe përkushtimit ndaj lirisë së atdheut. Në atë natë të ftohtë dhjetori, ai dhe bashkëluftëtarët e tjerë e tejkaluan vdekjen për t'u bërë legjendë, duke e çuar betejën për liri përtej kufijve tokësorë, drejt pavdekësisë. Lavdi përjetë veprës së Mujë Krasniqit dhe gjithë dëshmorëve të Pashtrikut!”, ka shkruar Lushtaku.