Lushtaku: Kam informata të dorës së parë, qytetarët e rrezikuan vetën për t’iu dërguar ushqim policëve në veri
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka thënë se Njësia Speciale ka pasur vështirësi që të ushqehet gjatë natës së 31 korrikut, kur edhe ndodhën tensionet në veri.
Lushtaku në Tëvë1 ka thënë se Kurti nuk ka aftësi dhe ekip për ta menaxhuar situatën e sigurisë në Kosovë.
“Unë nuk dëshiroj asnjë konflikt në veri të vendit, por po shihet qartë se Kurti nuk ka aftësi dhe ekip për menaxhimin e situatës së sigurisë së vendit. Kemi pasur dy raste kur Kurti ka intervenuar dhe fatkeqësisht është kthyer pa një rezultat pozitiv sa i përket veriut dhe shtrirjes së legjitimitetit në çdo cep të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai shtoi se Njësia Speciale nuk është mbështetur në aksionet në veri, derisa tha se ka informata që kanë pasur vështirësi që të ushqehen dhe qytetarët e kanë rrezikuar vetën që t’iu dërgojnë ushqim policëve.
“Kanë pasur të vështirë edhe të ushqehen në pjesën e veriut, kam informata të dorës së parë ku qytetarët e kanë rrezikuar edhe vetën e tyre për t’i dërguar ushqim policëve të njësisë së Kosovës. Kjo është fatkeqësi për një institucion siç është Policia e Kosovës e cila është nën udhëheqjen e Kurtit dhe ministrit të Brendshëm”, tha Lushtaku.