Lituania thotë se Rusia mund të përdorë dronë ukrainas kundër rajonit të Baltikut
Zyrtarët lituanë të inteligjencës besojnë se Rusia është duke e shqyrtuar përdorimin e dronëve të kapur ukrainas që të bëjë provokime kundër rajonit të Baltikut, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas.
Udhëheqësit e Polonisë dhe tri shteteve baltike kanë paralajmëruar se Rusia është duke shqyrtuar një sulm ose sabotim kundër vendeve të tyre si mënyrë për ta larguar fokusin nga lufta në Ukrainë dhe për ta zvogëluar mbështetjen për Kievin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Po flasim për një operacion me flamur të rremë, duke përdorur një dron ukrainas të rremë. Njëri nga qëllimet është që NATO-ja të luhatet dhe ta ulë mbështetjen për Ukrainën. Unë mund t’ju siguroj se kjo nuk do të ndodhë” – tha Kaunas.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha në korrik që të dhënat e inteligjencës tregonin se Rusia po planifikonte sulme ndaj infrastrukturës dhe se siguria përreth qendrave energjetike e të transportit ishte forcuar si masë kujdesi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kishte thënë atëherë se këto ishin “tregime frikësimi” për ta justifikuar militarizimin kundër Rusisë.
Polonia dhe shtetet e Baltikut, Estonia, Letonia dhe Lituania, janë mbështetëse të palëkundura të Kievit dhe e akuzojnë Moskën për përdorim të gjuhës përshkallëzuese për t’i frikësuar ato. Këto vende janë anëtare të NATO-s dhe kufizohen me Rusinë.